Monday, February 26, 2018

Gliko Kumquat sipas mami Likës

Nuk e prisja që një postim i imi, i cili përmbante vetëm foto dhe jo një recetë të zhvilluar, të kishte kaq shumë shikime dhe klikime 🤗. Por ndoshta gatimet tona tipike siç është glikoja dhe sidomos kur janë me një frut të veçantë, tërheqin më shumë interesin tonë sesa një recetë ndërkombëtare që e gjen në 1,000 versione 😎.
Fruti kumquat është shumë i njohur për banorët e Fierit, prej nga jam dhe unë. Në shtëpinë tonë ka mbi 5 vjet një vazo “gjigande” për të cilën im atë përkujdeset shumë, ngaqë unë e preferoj si frut dhe nuk lë askënd t’i afrohet se mos i këpusin ndonjë kokërr 🤗.
Mami Lika nuk është se e bëri glikon me “mandarinën kineze” (siç ma ka quajtur im atë ditën që më prezantoi këtë pemë) me pemën e vogël që ajo mban në ballkon, ajo e siguroi frutin nga një mik i familjes që ka mbjellë disa të tilla në bahçe. Për ju që jetoni në Tiranë unë kam parë që shiten të paketuara tek Conad, pranë frigoriferit të fruta – perimeve.

Meqë shumë nga ju e kërkuan recetën, dje unë e postova jo siç bëj zakonisht me anë të postimeve të mia në blog, që e ritheksoj është ditari më i shtrenjtë online që kemi si familje, por me anë të një teksti të detajuar poshtë fotos së glikosë. Që mos të dal nga tradita ime e ruajtjes së recetave të familjes, po i dedikoj dhe shkrimin e merituar në blog. Unë nuk kam foto hap pas hapi sesi e ka përgatitur mami Lika glikonë në kuzhinën e saj, por kam hapa shumë të qartë që të gjithë ju ta kuptoni e ta realizoni në shtëpitë tuaja, si dhe foto sesi e shijuam ne në shtëpinë tonë 🤗. Faleminderit që më lexoni ❤.
Brenda 24 orëve, postimi është parë nga 3,510 persona.
Ndërsa video është klikuar 1766 derimë tani :).
Përbërësit:
Kumquat 
Sheqer
Dëshira për të shijuar 😍🌻
Përgatitja:
Meqë nuk kam foto illustrative për proçesin e përgatitjes, po i shënoj hapat me numra për të qenë sa më e qartë 🌻😍.


1.  I marrim kumquat, i lajmë dhe me nje krruajtëse dhëmbësh i çpojmë në 3-4 vende.

2.  Më pas i vendosim në ujë me gëlqere për 2-3 orë. 1 apo dy grushta gëlqere i  tresim ne aq ujë sa të mbulohen frutat.

3.   Pasi i nxjerrim nga gëlqerja i shplajmē disa herë derisa të dalë ujē i pastër.

4.  I vendosim frutat të ziejnë, i lëmë nê zjarr 5 minuta nga momenti i vlimit dhe i provojmë për hidhërim. Nëse fruti rezulton i hidhur, derdhim ujin, dhe e rivendosim përsëri kumquatët të ziejnë. Këtë proçedurë mami Lika e bëri 3 herë.

5.  Pasi frutit ti ketë dalë hidhërima e vendosim në një kullesë për 30 minuta sa  tē kullojë uji i tepërt.

6. Peshojmë masën e kumquatëve pasi kanë kulluar që të llogarisim sasinë e shërbetit.

7.  Nëse kemi 1 kg kumquat, shtoni 1kg e 200 gr sheqer dhe JO 950 ml ujë sipas formulës, por 650-700 ml ujë sepse fruti vet mban ujë nga vrimat që i bëmë në fillim të proçesit. 

8.  E lëmë në zjarr tê ziejë derisa fruti të jetë mbushur me shërbet dhe të jetë ëmbëlsuar dhe shêrbeti kur e vendosni mes gishtit tregues dhe të madh zgjatohet pak si fije peri tha mami Lika 😍. 

9.   Shijojeni glikonë pasi të jetë ftohur e tëra 😊. Ju bêftë mirë 🌹






SHARE:

Wednesday, February 21, 2018

Musaka me presh

Kur je një shijuese e ushqimit si unë e përdor shumë herë tingullin “mmmmmm” ose “Wowww, that tastes delish” sa herë shijon diçka qoftë kjo dhe gatim me presh 😍. Këtë muaj e kam përdorur aq shumë herë preshin në gatime sa më “bërtitën” dhe fëmijët; çfarë të ka gjet që gatuan kaq shumë presh. Do më kuptoni kur të rriteni dhe pak ju thashë 🤗. Këtë herë për preshin u bë shkak Adeola, që e kam njohur në instagram dhe që menaxhon faqen e saj me gatime plot ngjyrë e pasion “Kuzhina Shtëpisë Sime”. Adeola kishte postuar një foto të drekës së ditës duke cilësuar “musaka me presh” dhe përbërësit, pa hyrë në detaje të përgatitjes. Por ne mamave aq na duhet, se e ngrejmë vet në këmbë një gatim 😊. Provojeni sa jeni ende në stinën e preshit sepse shija është pak dimërore. Çunat e mi e përlanë, sidomos i vogli që i bën naze qepës, preshit si çdo fëmijë. Unë e gatova për herë të parë dhe nuk do i ndryshoja asgjë kësaj recete dhe kur ta rigatuaj prap.

Përbërësit për bazën:
1,2 kg presh
2 kokrra qepë
300 gr mish të grirë
1 filxhan kafe pure domate
piper, ginger pluhur, dafinë, arrë moskat
3-4 lugë vaj, kripë
2-3 lugë gjellë bukë e grirë (galetë)

Përbërësit për beshamel:
2 lugë gjelle gjalp
2 lugë gjelle miell
1 litër qumësht
Kripë, arrë moskat
1 kokërr vezë (opsionale)
20 gr djath grana i grirë

Përgatitja:
Bëhuni gati të vini në zjarr 3 tenxhere. Në njërën do gatuajmë preshin, pasi e kemi pastruar, larë dhe grirë në copa të vogla. Shtojmë 3-4 lugë vaj në tenxhere dhe e lëmë preshin të gatuhet me kapak në zjarr të ulët.
Në tenxheren e dytë grijmë qepën, shtojmë mishin dhe KUJDES: Siç ja u kam theksuar tek receta e lazanjës, po ja u vë përsëri në dukje, kur përgatisni kimë me mish të grirë, mos i shtoni asnjëherë vaj, por gjysëm gote ujë apo më shumë (në varësi të sasisë) sepse vaji i nxehtë e forcon mishin e grirë duke e bërë si “llastik”. Skuqja direkt me ujë e mban mishin e grirë të shkrifët dhe të butë. Nëse doni ja shtoni 2 lugë vaj në fund kur kima të jetë gati.
Kur qepa dhe mishi të jenë zbutur dhe uji të jetë shteruar shtoni kripë, piper, ginger pluhur sipas dëshirës, 2-3 gjethe dafine, pak spec të kuq pluhur, puren e domates dhe e mbajmë në zjarr 5 minuta sa të lidhen shijet. Kima është gati.


Në tenxheren e tretë përgatisim beshamelin. Shtojmë gjalpin dhe pasi gjalpi të jetë tretur, shtojmë miellin. KUJDES: Përsëri siç ja u kam shpjeguar tek receta e lazanjës në mënjyrë që të kemi gjithmonë një beshamel kremoz dhe pa kokriza, duhet të ndiqni këshillat e mija 🙃. Pasi mielli merr pak skuqje me gjalpin, largojeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni 2 minuta të qetë sa të bjerë nxehtësia e mos të kemi më bulëza. Me një rrahëse dore filloni shtoni qumështin e ftohtë pak nga pak. Masa do bëhet menjëherë kremoze. Vazhdoni kështu derisa të keni mbaruar gjithë sasinë e qumështit. Vendoseni përsëri tenxheren në zjarr, duke e trazuar herë pas here derisa masa të trashet. Rregullojeni me kripë dhe arrë moskat. Beshameli është gati.





Fillojmë shtrimin e tavës. Si fillim lyejmë fundin e tavës me pak vaj ulliri dhe spërkasim me thërrime buke si në foto. Shtrojmë shtresën e parë me preshin e zbutur tashmë, të cilin e kemi rregulluar me kripë dhe piper. Më pas shtojmë shtresën e dytë me kimën. E vazhdojmë kështu dhe me dy shtresa të tjera preshi dhe kime. Në fund shtojmë beshamelin (unë nuk kisha kohë të prisja beshamelin të ftohej se do i hidhja dhe një kokërr vezë të rrahur. Ju bëjeni nëse prisni që beshameli të arrijë temperaturë të vakët). Mbi beshamel grijmë pak djathë dhe e vendosim tavën të piqet.







Pjekim në 220 gradë për 35 – 40 minuta derisa beshameli të krijojë një cipë të artë. Kjo tavë duhet të rrijë të paktën 20 minuta në qetësi përpara sesa ta servirim. Dhe sa më shumë rri, përshembull nëse ju mbetet një racion për të nesërmen, aq më e mirë bëhet. Ju bëftë mirë ❤.





SHARE:

Thursday, February 8, 2018

Biskotat e Dashurisë (me mollë)

Emrin sigurisht që ja vendosa unë e para për formën, e dyta sepse çdo gjë që gatuhet me mollë bëhet menjëherë gatim i preferuar për dashurinë time dhe e treta jemi përpara Shën Valentinit, le të gatuajmë diçka të ëmbël dhe me dashuri për të dashurin tonë.
Këto biskota që kanë mbushje me mollë është pak të thuash të shijshme, janë WOW 😍. Ishte hera e parë për mua të gatuaja biskota me mbushje jo shumë të qëndrueshme siç është zemra e kësaj biskote me komposto molle, por do ju jap ato këshilla që nxora unë nga përgatitja e tyre. Së pari unë do ju zvogëloj sasinë e vajit të përdurur në recetën origjinale në përgatitjen e brumit frola dhe së dyti ngaqë as unë dhe as një pjesë e madhe e juaja nuk jemi pastiçier të lindur 😛, mbushjen e biskotave siç do ja u shpejgoj dhe me foto bëheni me masa sa më të vogla brumi në mënyrë që të keni sukses në realizimin e tyre. Kaq përsa i përket këshillave, pjesa tjeter e përbërësve janë përbërës bazikë që na gjenden të gjithëve në shtëpi.

Përbërësit për mbushjen me mollë:
2 kokrra mollë
1 kokërr limoni
2 lugë gjelle sheqer
½ gotë uji
1 lugë çaji kanellë

Përbërësit për brumin frola:
1 vezë
80 gr sheqer
80 gr vaj luledielli
1 lugë çaji pluhur pjekës
300-350 gr miell

Përgatitja:

Fillojmë me përgatitjen e zemrës së biskotës. Qërojmë mollët, i presim në copa të vogla. I shtojmë në një enë, hedhim sheqerin, kanellën, ujin dhe i vendosim në zierje për të paktën 20 minuta sepse duam që mollët të zbuten mjaftueshëm për të na dhënë një masë si pure mollësh.

Në një enë tjetër shtojmë vezën, sheqerin, vajin, pluhurin pjekës dhe miellin dhe me një lugë druri trazojmë masën. Masën e përftuar e shtrojmë mbi tavolinën e punës të cilën e spërkasim me miell dhe e punojmë për 2-3 minuta me dorë. Siç e shihni në foto unë e kam ndarë brumin në dy masa të barabarta të cilat më pas do i hap petë me trashësi 5mm.








Këshillë: Ky është momenti për mos ta ndarë brumin në dy copa të barabarta. Thjesht shkëpusni copa të vogla brumi, i sheshoni ato me pecin e trashë mbi letër gatimi dhe me një lugë hidhni porcione të vogla të puresë me mollë mbi njërën nga petat. Porcionet duhet të jenë në largësi thuajse të barabarta me njëra tjetrën. Shtrojmë petën tjetër sipër dhe me duar kufizojmë masat që kanë brenda pure molle. Më pas me formën e zemrës presim biskotat një nga një. Kjo ishte 😍.


Vazhdoni kështu me brumin derisa të keni përdorur gjithë masën. Unë e vendosa tavën dy herë me këto përmasa të përbërësve.
I vendosni biskotat në mes të furrës, në temperaturë 180 gradë dhe i piqni për 20 minuta derisa të marrin ngjyrë të artë të lehtë në sipërfaqe.
I vendosni biskotat mbi një pjatancë dhe i servirni ato të ftohta. Ëmbëlsoni kështu jo vetëm të dashurin tuaj , por gjithë familjen ❤. Ju bëftë mirë.



SHARE:
Blogger Template Created by pipdig