Saturday, May 13, 2017

Për drekë te Mullixhiu

Sipas thënies popullore titulli duhet të ishte "për inat të sime vjehrre, shkoj e ha tek Mullixhiu", por për respekt të vjehrrës time e cila u largua jo shumë kohë më parë nga kjo jetë, dhe pa inate për vjehrrat, por vetëm për qejfin tonë, sot shkuam të hanim drekë tek Mullixhiu.
Të ftuara nga Lona, e cila festonte një gëzim të sajin, unë dhe Linda ju bashkuam sot tek Mullixhiu, restoranti disi i fshehur tek pallati me "bedena", siç e quaj unë, një ndërtesë e çuditshme, jo domosdoshmërisht e bukur, që ndodhet në hyrje të Liqenit Artificial.
Derisa shkon tek Mullixhiu bezdisesh nga dielli i drekës, tipike për Tiranën e kësaj stine, por melodia e fyellit që të mirëpret sapo hedh hapin brenda restorantit të mahnit. Ti kthen kokën për tu bindur që vërtet dikush në hyrje të pret duke i rënë fyellit. Sapo futesh brenda kupton që ke hyrë në një oaz qetësije, në një hapësirë ndonëse të vogël, mbushur plot me njerëz që shijojnë ushqimin gjithë gëzim sepse është e pamundur të rrish pa komentuar e pa pyetur për çdo pjatë që të servirin tek Mullixhiu.
Mjafton t'ju them që Mullixhiu është simotra e Mrizit të Zanave dhe gatuan vet shef Bled Kola. Besoj që të gjithëve na ka rënë rruga 1 herë të vetme nga Mrizi i Zanava. Sot, Mrizi gjendet në Tiranë me produktet dhe teknikat e gatimit "slowfood", t'i ndjen çdo shije të tokës në pjatë.
Siç edhe tek Mrizi, sapo ulesh në tavolinë të vjen aperitivi me lëng shege (jo alkolik).
 
Ndërkohë që ne bënim porosinë dhe këtu ju këshilloj gjithmonë nga eksperienca ime me Mrizin, "mos u merrni fare me menunë", lëreni veten në dorë të kujdestarit që është caktuar për tavolinën tuaj. Tek Mrizi dhe Mullixhiu dinë si të t'i kënaqin shijet. Për ne u kujdes një vajzë në pritje të ëmbël dhe ne u ndjemë si të bekuara nga përkujdesja që na u bë. Ndërsa vendosëm se çfarë do hanim, në tavolinë na vjen një supë si starter, por që unë harrova t'i bëja foto hutuar nga risia në tavolinat e Mullixhiut, ku në çdo anë të tavolinës ndodhej një sirtar me setin e lugëve, pirunjë dhe thika për të gjitha gatimet.
Fillimisht peceta mu duk sikur ishte me "xhep", por jo është e arnuar :), detaj që unë e përktheva "ha si në shtëpinë tënde".
Përveç supës çdo pjatë tjetër u fotografua. Do i përshkruaj pjatat sipas përbërësve bazikë, pasi detajet duhet të mbeten sekrete. Nuk ka kuptim t'i gatuash pjatat e Mullixhiut në shtëpi, sado të përpiqemi ato shijohen vetem nga duart e Bledit tek Mrizi ose Mullixhiu.
Sallatë me spinaq, mollë, djath dhe mish krudo.
Sallatë me kungull, marinuar në salcë të përfituar nga lulet e kungullit me kumbullat. Një sensacion më vete.


Lule kungulli e mbushur. Gatim tashmë i njohur, por jo me prekjen magjike të erëzave të Mullixhiut.
Dromca, trahana gruri e jugut, aromatizuar me shafran Elbasani. Dekoruar me bizele të freskët, fara të pjekura dhe mana turshi. "A must try", për të kuptuar që ja paskemi futur kot me trahananë deri më sot 😍.
Kulmi i drekës arriti me mishin e kecit dhe perimet që dukeshin sikur sapo i kishe këputur nga toka e direkt e në tavolinë. "From land, to table" na ushqen jo vetëm shëndetshëm, por na njeh me vlerat e produkteve tona.




Dhe tamam siç i thonë, ëmbëlsira për në fund. Për t'i dhënë gjithë vëmendjen e ndjesive tona "tortës me kos", porositëm dhe një aperitiv shege, gati për të shijuar atë ç'ka unanimisht e quajtëm "orgasmic taste".
Torta me kos, të vinte e servirur shumë veçantë, me një kalli misri i cili mbante një copë të kekut me miell misri dhe tasin ku servirej torta.
Jo, jo nuk mbaron me kaq. Një vajzë me "torch" në dorë, vinte për të krijuar shtresën e karamelizuar mbi tortë. Amazing - E mahnitshme.



Nuk mbaroi me kaq, përvec përkushtimit që na u servir në ato 2 orë, ëmbëlsirat na i ofroi restoranti, bashkë me një vazo reçel mane.
Në respekt të personave që hanin në restorant, munda të bëj vetëm një foto tavolinës pranë nesh që u lirua për disa minuta. Për të shijuar pak Mrizë në mes të Tiranës, shkoni vet tek Mullixhiu, por mos harroni të prenotoni më parë, është gjithmonë plot me njerëz që e duan dhe shijojnë ushqimin.

SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig